Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Federata Evropiane e Gazetarëve (IFJ) dhe Iniciativa për Perspektivë Evropiane (IEP), në kuadër të Javës Ndërkombëtare të Edukimit Mediatik, sot prezantuan iniciativën “Akademia e trajnimit për gazetarë dhe punëtorët e medias – T-AJM” e cila synon të kontribuojë në krijimin e një ambienti të favorshëm në të cilin do të ushqehet liria e shprehjes dhe liria e mediave.
Kryetari i SHGM-së, Mlladen Çadikovski, theksoi nevojën për krijimin e një atmosfere kreative për gazetari të lirë dhe të pavarur.
“Përmes akademisë do të mundohemi të krijojmë gazetarë edhe më të përgatitur, të cilët do të jenë themeli i informimit të mirë. Në këtë mënyrë, publiku do të ndikohet në drejtim të marrjes së informacionit të saktë, të verifikuar dhe në kohë, që është edhe synimi ynë i përbashkët përfundimtar. Nevoja për ngritjen e kapaciteteve në gazetari mbetet e lartë për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme dhe të shpejta në këtë fushë. Gazetarët, të rinj dhe me përvojë, duhet të jenë të adaptueshëm dhe të përmirësojnë vazhdimisht aftësitë e tyre për të përballuar sfidat e një peizazhi mediatik gjithnjë në zhvillim, duke ruajtur vlerat thelbësore të gazetarisë. Misioni i SHGM-së përmes akademisë është të kontribuojë në ndërtimin e atij ambienti të favorshëm”, tha Çadikovski.
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, tha se kjo nismë është jashtëzakonisht e rëndësishme për gazetarët e lirë, veçanërisht sot në një epokë kur gazetaria është nën presion të vazhdueshëm për të ndryshuar për mirë.
“Trajnimi është i nevojshëm më shumë se kurrë duke marrë parasysh kërcënimet ndaj gazetarëve dhe sigurisë së tyre. Theks i veçantë duhet t’i kushtohet sigurisë digjitale dhe sfidave etike me të cilat përballen gazetarët në përdorimin e drejtë dhe të gabuar të inteligjencës artificiale. Për mendimin tim, këto janë dy çështjet kryesore për të cilat ne kemi më shumë nevojë për aftësi shtesë. Është e rëndësishme të thuhet se trajnimi i gazetarëve ka për qëllim marrjen e informacionit më cilësor dhe të besueshëm, sepse ne nuk jemi këtu vetëm për hir të profesionit, por mbi të gjitha për publikun si konsumatori i fundit”, tha Gutierrez.
Në ngjarjen “Shumë njerëz, një mision” i mbajtur në Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, kontribut në prezantimin e aktiviteteve të ardhshme të Akademisë së Gazetarëve dhe Punëtorëve të Medias dhanë Dragan Sekullovski, drejtor ekzekutiv i SHGM-së, Elena Milenkoska – Mihaillovska, kryetare e Iniciativës për Perspektivë Evropiane dhe Davor Pashoski, i cili ka vepruar si bashkëpunëtor i jashtëm në analizën e sondazhit të kryer paraprakisht.