Shkup, 26 tetor 2026 – Nën organizimin e Institutit Maqedonas për Media, sot u mbajt një punëtori kushtuar sfidave me të cilat përballen të rinjtë në lidhje me inteligjencën artificiale.
Në këtë ngjarje morën pjesë nxënës nga shkollat e mesme “Koço Racin” dhe “Josip Broz Tito” nga Shkupi, si dhe nga shkolla e mesme “Goce Dellçev” nga Kumanova, të cilët përmes diskutimeve dhe aktiviteteve interaktive patën mundësinë të hulumtojnë ndikimin e inteligjencës artificiale në jetën e përditshme, në media, si dhe në mënyrën se si i pranojnë dhe i interpretojnë informacionet.
Theks i veçantë iu kushtua identifikimit të përmbajtjeve të gjeneruara me ndihmën e inteligjencës artificiale, si dhe sfidave që lidhen me dezinformatat, fotografitë dhe videot e manipuluara dhe vështirësinë gjithnjë e më të madhe për të dalluar përmbajtjet autentike nga ato të rreme në hapësirën digjitale.
Përmes shembujve praktikë dhe bashkëbisedimit, nxënësit patën mundësinë të reflektojnë mbi mënyrën se si funksionojnë mjetet e inteligjencës artificiale, cilat janë mundësitë dhe kufizimet e tyre, si dhe pse është e rëndësishme të kenë një qasje kritike ndaj informacioneve që hasin në internet dhe në rrjetet sociale.
Punëtoria vuri në pah rëndësinë e edukimit mediatik dhe digjital, veçanërisht në një kohë kur zhvillimi i teknologjive të reja po ndryshon mënyrën e krijimit, shpërndarjes dhe konsumimit të informacioneve. Pjesëmarrësit diskutuan gjithashtu për përdorimin e përgjegjshëm të inteligjencës artificiale, nevojën për verifikimin e burimeve dhe rëndësinë e gjykimit njerëzor gjatë marrjes së vendimeve.






