Shkup, 26 tetor 2026 – Sot, në ditën e parë të Ditëve të Arsimimit Mediatik të këtij viti, të organizuara nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AShMAA), u mbajt prezantimi i Hulumtimit mbi Arsimimin Mediatik te Nxënësit e Arsimit të Mesëm. Hulumtimi u realizua nga Agjencia Rating për nevojat e AShMAA-së.
Siç theksoi gjatë prezantimit të saj përfaqësuesja e Agjencisë Rating, Sofia Ristova, hulumtimi përfshiu 889 nxënës të shkollave të mesme nga 40 shkolla, ku mësimi zhvillohet në gjuhën maqedonase, shqipe dhe turke. Ajo përmban një analizë sasiore të kompetencave të arsimimit mediatik te nxënësit e vitit të tretë dhe të katërt të arsimit të mesëm gjatë vitit shkollor 2025/2026, si dhe një analizë krahasuese me rezultatet e hulumtimit të realizuar gjatë vitit shkollor 2023/2024.
Prezantimi i hulumtimit është i disponueshëm në këtë lidhje.
Në këtë ngjarje morën pjesë nxënës nga shkollat e mesme “Koço Racin” dhe “Josip Broz Tito” nga Shkupi, si dhe nga shkolla e mesme “Goce Dellçev” nga Kumanova, së bashku me përfaqësues të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit.
Prezantimi i hulumtimit krijoi mundësi për t’u njohur me nivelin e arsimimit mediatik te nxënësit e shkollave të mesme, kompetencat e tyre për të kuptuar dhe vlerësuar në mënyrë kritike përmbajtjet mediatike, si dhe me nevojën për përmirësimin e vazhdueshëm të njohurive dhe aftësive që u nevojiten për pjesëmarrje të sigurt, të përgjegjshme dhe të informuar në mjedisin bashkëkohor mediatik.
Përmes aktiviteteve të tilla, Ditët e Arsimimit Mediatik vazhdojnë të nxisin diskutimin mbi rëndësinë e edukimit mediatik në arsim dhe mbi rolin e të rinjve në zhvillimin e një qasjeje kritike ndaj informacioneve që marrin çdo ditë përmes mediave të ndryshme.
Hulumtimi i plotë mbi edukimin mediatik te nxënësit e arsimit të mesëm është i disponueshëm në këtë lidhje






