Shkup, 26 tetor 2026 – Nga sot deri më 2 nëntor do të mbahen Ditët e Arsimimit Mediatik 2026 (DAM), të organizuara nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele (AShMAA) dhe Rrjeti për Arsimim Mediatik (RRAM). Përmes këtyre aktiviteteve, vendi ynë për herë të tetë i bashkohet shënimit të Javës Globale të Arsimimit Mediatik dhe Informativ të UNESCO-s. Programi i DAM 2026 është i disponueshëm në këtë link.
Siç theksoi zëvendësdrejtori i AShMAA-së, Muhamer Beqiri, në konferencën e sotme për shtyp, Ditët e Arsimimit Mediatik do të zhvillohen nën moton “Të gjithë kemi rolin tonë”, e cila lidhet drejtpërdrejt me temën e Javës Globale të UNESCO-s, “Të gjithë kemi rolin tonë – Arsimimi mediatik dhe informativ për njerëzit”. Mesazhi kryesor i këtij viti është pikërisht ky: çdo individ, çdo organizatë, institucion, çdo media, me një fjalë, secili prej nesh, të mendojë se si mund të kontribuojë që të gjithë të bëhemi më të aftë në identifikimin e informacioneve keqdashëse ose të pasakta, si ta shfrytëzojmë në mënyrë të dobishme kohën që kalojmë para ekranit dhe si t’i përdorim mundësitë që ofron inteligjenca artificiale për të mirën e përbashkët.
Në këtë ngjarje foli edhe Luçano Skambjato Liçardi, udhëheqës i ekipit për komunikim dhe shtyp në Delegacionin e Bashkimit Evropian. Duke folur për rëndësinë e Arsimimit Mediatik, ai përmendi edhe Escape Fake, një lojë interaktive të zhvilluar në Bashkimin Evropian, me mbështetjen e programit “Evropa Kreative”. Gjatë Ditëve të Arsimimit Mediatik, nga 26 deri më 30 tetor, të gjitha qendrat Europe House në mbarë vendin do të organizojnë punëtori për nxënësit e shkollave të mesme. Në kuadër të këtyre punëtorive, nxënësit do të kenë mundësinë ta provojnë lojën dhe t’i vënë në provë aftësitë e tyre të të menduarit kritik.
Në organizimin e Ditëve të Arsimimit Mediatik 2026, së bashku me Agjencinë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, marrin pjesë edhe Instituti për Studime të Komunikimit, Instituti Maqedonas për Media, Këshilli për Etikë në Media i Maqedonisë, Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë, Ball për Ball (Лице в Лице), Fondacioni Metamorfozis në bashkëpunim me organizatën e tyre partnere Media Inovative, Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut dhe Qendra për Resurse e Prindërve të Fëmijëve me Nevoja të Veçanta.
Aktivitetet që do të mbahen në kuadër të Ditëve të Arsimimit Mediatik do të zhvillohen në Shkup, Gostivar, Strumicë, Manastir, Veles, Strugë dhe Tetovë. Përmes këtyre aktiviteteve do të përfshihen të rinjtë, veçanërisht nxënësit e shkollave të mesme, profesorët e tyre, hartuesit e politikave dhe vendimmarrësit, personat që u përkasin grupeve të ndryshme të margjinalizuara, si dhe personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre.
Më shumë informacione për Ditët e Arsimimit Mediatik mund të gjenden në faqen e internetit mediumskapismenost.mk, si dhe në profilet e Rrjetit për Arsimim Mediatik në Facebook dhe Instagram.






