Si vendosin të rinjtë nëse duhet t’i besojnë një postimi? Çfarë ngjall dyshime tek ata dhe si ndikojnë emocionet në përmbajtjet që ndjekin dhe shpërndajnë? Këto pyetje ishin në fokus të punëtorisë “Çfarë shohim, çfarë besojmë? Të rinjtë dhe përmbajtjet në internet”, të cilën Instituti për Studime të Komunikimit (IKS) e organizoi më 28 tetor me nxënësit e vitit të parë të gjimnazit “Nikolla Karev” në Shkup.
Përmes aktiviteteve interaktive dhe diskutimeve, nxënësit analizuan zakonet e tyre digjitale dhe arsyet pse u besojnë burimeve të caktuara. Diskutimi u përqendrua në atë se çfarë vërejnë së pari në një postim, çfarë i shtyn ta besojnë atë dhe çfarë do të verifikonin përpara se ta shpërndanin me të tjerët. Vëmendje e veçantë iu kushtua mënyrës se si titujt, fotografitë dhe paraqitjet e ndryshme të së njëjtës ngjarje mund të ndikojnë në interpretimin e tyre.
Punëtoria ngriti gjithashtu çështje që lidhen me identifikimin e përmbajtjeve të manipuluara dhe besueshmërinë e informacioneve të krijuara me inteligjencë artificiale. Në qendër të vëmendjes ishin mendimet dhe dilemat e vetë nxënësve: si reagojnë ndaj përmbajtjeve që i argëtojnë ose i shqetësojnë, pse dyshojnë në disa prej tyre dhe çfarë e konsiderojnë të rëndësishme të dinë për hapësirën online.
Pyetjet dhe përvojat e tyre do të shërbejnë si bazë për hartimin e përmbajtjeve edukative që u përshtaten interesave dhe nevojave të të rinjve. Qëllimi është që ata të kontribuojnë në mënyrë aktive në zhvillimin e materialeve që do t’i ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre t’i vlerësojnë në mënyrë më kritike informacionet digjitale.
Kjo punëtori u mbajt në kuadër të Ditëve të Arsimimit Mediatik 2026, të cilat këtë vit organizohen nga Rrjeti për Arsimim Mediatik nën moton “Të gjithë kemi rolin tonë”.
Punëtoria është pjesë e projektit “InfoFacto”, i mbështetur nga Bashkimi Evropian përmes programit “Evropa Kreative”. Në kuadër të projektit po zhvillohet një platformë edukative që do t’u ndihmojë adoleshentëve në mbarë Evropën të vlerësojnë në mënyrë kritike përmbajtjet digjitale dhe të identifikojnë dezinformatat, përfshirë edhe përmbajtjet e krijuara me inteligjencë artificiale.






