Në kuadër të Ditëve të Arsimimit Mediatik, më 29 tetor, me fillim në orën 11:00, “Ballë për Ballë” do të organizojë një punëtori për shitësit dhe koordinatorët e saj, me titull “Kush ta tha? Ballë për Ballë me informacionet – nga bisedat e përditshme te rrjetet sociale”.
Punëtoria do t’i kushtohet mënyrës se si i identifikojmë, verifikojmë dhe shpërndajmë informacionet në një botë ku çdo ditë jemi të ekspozuar ndaj lajmeve, publikimeve, mesazheve dhe pretendimeve të ndryshme.
Përmes diskutimeve dhe shembujve praktikë, pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të reflektojnë mbi dallimin ndërmjet informacionit të verifikuar, mendimit personal, thashethemeve dhe dezinformatave, si dhe mbi pasojat e shpërndarjes së tyre të mëtejshme.
Me përfshirjen në Ditët e Arsimimit Mediatik 2026 (DEM2026), “Ballë për Ballë” (Лице в Лице) riafirmon rëndësinë e qasjes në informacion dhe zhvillimit të të menduarit kritik te njerëzit me përvoja dhe mundësi të ndryshme jetësore.
Edukimi mediatik duhet të jetë i qasshëm për të gjithë, jo vetëm për ata që kanë arsimim formal apo interes profesional për mediat.






