Shkup, 19.11.2025 – Ndarja e rreziqeve kryesore me të cilat përballen gazetarët dhe punonjësit e medias dhe mekanizmat që institucionet zbatojnë për t’i mbrojtur ata ishte në fokus të diskutimit të sotëm në një aktivitet ekspertësh në Shkup. Pjesëmarrësit ndanë përvoja mbi trendet e kërcënimeve fizike dhe online, efektet e zgjidhjeve të reja ligjore, si dhe procedurat policore dhe gjyqësore që aktivizohen në rast të sulmeve ndaj gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Theks i veçantë u vu në rolin e të redaksive dhe rregullatorit në krijimin e një mjedisi pune më të sigurt, si dhe në nevojën për koordinim më të fortë ndërsektorial dhe një përgjigje institucionale më të shpejtë dhe më efikase.
Në fjalimin e tij, drejtori i SHGM, Dragan Sekulovski, theksoi se pavarësisht numrit të zvogëluar të sulmeve fizike në vitin 2025, puna e gazetarëve nuk po bëhet më e lehtë: “Presionet online po rriten çdo ditë. Prioriteti ynë është që çdo kërcënim, nga një koment online deri te një sulm fizik, të njihet dhe të trajtohet seriozisht dhe institucionalisht.”
Përfaqësuesi i Fondacionit Friedrih Ebert, Valon Sadiki, theksoi se siguria nuk është vetëm një çështje teknike, por edhe sociale: “Gazetarët mund të punojnë lirisht vetëm në një mjedis që i mbron ata. Prandaj, puna e përbashkët e të gjithë palëve të interesuara është me rëndësi të veçantë.”
Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve (FEG), Rikardo Gutierrez, iu drejtua gjithashtu pjesëmarrësve, duke paralajmëruar se problemi i pandëshkueshmërisë mbetet thelbësor: “Kur nuk ka përgjigje dhe llogaridhënie të përshtatshme, krijohet hapësirë për kërcënime dhe sulme të reja të mundshme. Kjo është një sfidë evropiane, jo vetëm lokale.”
Në këtë aktivitet foli edhe Udhëhqësi i njësisë të Politikave Audiovizuale në Ministrinë e Transformimit Dixhital, Mishko Taleski, i cili foli rreth transformimit dixhital dhe sigurisë së medias, si dhe rëndësisë së mjeteve dixhitale dhe sistemeve mbështetëse në mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias.
Në këtë aktivitet foli edhe gazetari Ognen Çançareviq nga TV Telma, i cili ndau përvojën e tij personale nga terreni: “Planifikimi i detajuar është gjithmonë i nevojshëm, ndonjëherë një sekondë vlerësimi i kujdesshëm është më i rëndësishëm se i gjithë raporti. Kur je në vendngjarje, rreziqet janë shumë reale.”
Redaktori i televizionit Alsat, Adrian Kerimi, na kujtoi rëndësinë e mbështetjes editoriale: “Redaktori është ai që duhet të ofrojë një plan, protokoll dhe mbështetje. Gazetari nuk duhet të lihet të kujdeset vetë për veten e tij.”
Gjatë këtij eventi, përfaqësuesit e MPB-ës, PTHP-ës dhe AshM-asë theksuan angazhimin e përbashkët për përmirësimin e sistemit për mbrojtjen e gazetarëve dhe punonjësve të medias. Përfaqësuesja e AShM-së, Ivana Stojanovska, dha një pasqyrë të rolit të rregullatorit në ndërtimin e një mjedisi mediatik më të sigurt dhe më mbështetës. Pas kësaj, foli Ndihmës Ministri për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Strategjike në Ministrinë e Brendshme, Muhamed Ismaili, i cili prezantoi protokollet dhe procedurat aktuale të policisë për trajtimin e sulmeve ndaj gazetarëve, duke theksuar se zbatimi i tyre tashmë po sjell një reagim më të dukshëm institucional.
Nga segmenti gjyqësor, prokurori Dejan Petrevski nga Prokuroria Themelore Publike në Shkup dha një pasqyrë të sfidave aktuale në përpunimin e rasteve që lidhen me kërcënimet dhe dhunën ndaj gazetarëve, duke theksuar nevojën për koordinim të vazhdueshëm midis të gjitha institucioneve kompetente.
Eventi përfundoi me një mesazh të përbashkët se përmirësimi i sigurisë së gazetarëve kërkon punë të vazhdueshme, besim të ndërsjellë dhe përgjigje funksionale institucionale. SHGM mbetet e përkushtuar ndaj këtij qëllimi dhe ndaj partneritetit aktiv me institucionet përkatëse dhe organizatat ndërkombëtare.
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), në bashkëpunim me Fondacionin Friedrih Ebert (FES) në Shkup, ishin organizatorët e këtij eventi, i cili u zhvillua më 19 nëntor në Shkup.






