Shkup, 20 nëntor 2025 – Nën organizim të Fondacionit “Metamorfozis”, ndërsa në bashkëpunim me International IDEA, sot në Shkup në kuadër të Ditëve të Edukimit Mediatik u prezantua raporti “Mundësuesit dhe nxitësit e FIMI (Ndikime dhe manipulime të huaja të informacionit – Foreign Information Manipulation and Interference) gjatë zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut”. Dokumenti është përgatitur sipas një metodologjie ndërkombëtare që aplikohet gjatë përgatitjes së raporteve të ngjashme në partneritet me organizatat në Moldavi, si dhe në Senegal dhe Bregun e Fildishtë, raporton Portalb.mk.
Qëllimi kryesor i këtij aktiviteti është identifikimi i faktorëve që mundësojnë përhapjen e dezinformatave dhe manipulimeve përmes ndikimit të huaj gjatë proceseve zgjedhore, si dhe njohja e dobësive strukturore që e bëjnë vendin të prekshëm ndaj ndikimeve të dëmshme të organizuara.
Dezinformatat e rrënojnë besimin në demokraci
Khushbu Agrawal nga International IDEA shpjegoi se ky raport është pjesë e një projekti ndërkombëtar për luftimin e ndërhyrjeve të huaja në proceset zgjedhore dhe për ndërtimin e rezistencës në shoqëri.
“Në më shumë se 20 zyra në të gjithë botën ne punojmë për integritet zgjedhor, sidomos në kontekstin e digjitalizimit dhe sigurisë kibernetike. Ne analizojmë se çfarë e bën Maqedoninë e Veriut objektiv për ndikim dhe se cilat strategji përdoren nga aktorët që duan të manipulojnë. Fushatat dezinformative krijojnë mosbesim në proceset demokratike”, tha Agrawal.
Narrativat antigjinore, instrument për ndikim
Një pjesë e veçantë e raportit i kushtohet çështjeve gjinore, me ç’rast Despina Kovaçevska thekson se një pjesë e madhe e narrativave antigjinore që shfaqen në vendin tonë janë “të importuara” dhe shpesh përdoren si mjet për ndikim politik. “Përmes çështjeve gjinore po sulmohet edhe BE-ja. Po përhapen histori se si në Holandë ose Gjermani fëmijët “vishen me rroba të gjinisë tjetër”, dhe se e njëjta gjë do të na imponohet nëse anëtarësohemi në BE. Narrativa të tilla kanë ndikuar edhe në proceset e brendshme; Ligji për Barazinë Gjinore u tërhoq pas protestave”, tha Kovaçevska. Ajo shtoi se gratë janë ende të nënpërfaqësuara në politikë, duke e theksuar faktin se në zgjedhjet e fundit kishim vetëm dy kryetare komune gra. “Gratë nuk kanë mbështetje. Por barazia gjinore nuk vlen vetëm për gratë, duhet punuar edhe me burrat”, shtoi Kovaçevska.
Duke folur për rrjetet sociale, ajo tha se dezinformatat përhapen kryesisht në TikTok, Facebook, Instagram dhe platformën X, ndërsa rregullimi i rrjeteve sociale është pothuajse inekzistent. “Institucionet reagojnë ndaj komenteve me gjuhë urrejtjeje vetëm nëse ka dhunë të drejtpërdrejtë”, tha ajo.
Mediat janë hallkë e dobët në mbrojtjen kundër dezinformatave
Rizaov foli edhe për sektorin mediatik si një nga segmentet më të cenueshëm. “Mediat nuk është e vetëqëndrueshme sepse nuk kanë fonde të mjaftueshme. Kjo i bën ato të cenueshëm ndaj ndikimeve politike, sidomos përmes financimit shtetëror, gjë që mund të çojë drejt vetëcensurimit”, theksoi ai. Si shembull ai e theksoi sjelljen e institucioneve gjatë tragjedisë në Koçan, kur Qeveria, përmes një deklarate, u mbajti leksion mediave për atë se çfarë është etika gazetareske, domethënë se nuk u lejohet t’i regjistrojnë dhe fotografojnë momentet e tragjedisë. Sa i përket përdorimit të inteligjencës artificiale, Rizaov tha se inteligjenca artificiale gjithnjë e më shumë po përdoret në prodhimin e lajmeve të përditshme. “Nuk them se kjo është diçka e keqe, por lexuesi duhet ta dijë se përmbajtja është krijuar në mënyrë sintetike”, tha ai, duke theksuar se pagat e ulëta, vendet e pasigurta të punës dhe presionet ekonomike krijojnë një mjedis në të cilin gazetaria profesionale mbijeton me vështirësi, gjë që ndikon në rënien e besimit në mediat kryesore.
Matej Trojaçanec nga “Metamorfozis” i prezantoi përfundimet e raportit dhe tha se lufta kundër FIMI kërkon bashkëpunim të koordinuar midis qeverisë, mediave, shoqërisë civile, akademisë dhe sektorit privat. “Dezinformatat janë kërcënim për demokracinë, besimin publik dhe aspiratat për integrimin euroatlantik”, theksoi ai. Si rekomandime kryesore të shënuara në raport janë: zhvillimi dhe zbatimi i një strategjie kombëtare për luftë kundër dezinformatave, reformimi i reklamave politike dhe financimit të mediave, rikthimi i besimit publik përmes institucioneve transparente dhe edukimit mediatik, harmonizimi i rregulloreve me Bashkimin Evropian dhe përforcimi i kornizave ligjore përmes bashkëpunimit ndërsektorial.
Pas prezantimit të gjetjeve kryesore të raportit u mbajt një seancë dialogu me palët e interesuara, ku si folës morën pjesë Biljana Georgievska, drejtoreshë ekzekutive e Këshillit të Etikës në Media, Emilija Petreska Kamenjarova nga Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale dhe Riste Zmejkovski nga Delegacioni i BE-së në Maqedoninë e Veriut.






