Manastir, 28.04.2022 – Me një ngjarje për rrjetëzimin e të rinjve me kompani dhe organizata të shoqërisë civile nga Manastiri dhe rajoni, sot u hap Qendra Rinore – MladiHub në Manastir. Hapësira synohet të shërbejë si hapësirë për punë, rrjetëzim dhe organizim të aktiviteteve që do të jenë në dispozicion pa pagesë për të rinjtë në rajon.
“Komuna e Manastirit në vazhdimësi punon në gjetjen e mënyrave për përkrahjen e të rinjve nga i gjithë rajoni, sepse vetëm në atë mënyrë të gjithë së bashku mund të kontribuojmë në mbajtjen e gjeneratave të reja. Pikërisht prandaj, Komuna e Manastirit do ta përmbushë obligimin e saj ligjor dhe do të shpallë thirrje për përzgjedhjen e një organizate rinore apo organizatë për të rinjtë që do të vazhdojë të menaxhojë këtë qendër rinore, në përputhje me Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore. Në këtë mënyrë, komuna do të sigurojë një hapësirë ku do të përgatiten dhe zbatohen programe që do të përmirësojnë mirëqenien e të rinjve, zhvillimin e jetës personale, sociale dhe profesionale të të rinjve, informacione me interes të rëndësishëm për të rinjtë dhe të tjera aspekte të jetës së të rinjve“- tha dr. Toni Konjanovski, kryetar i Komunës së Manastirit. Qendra Rinore – MladiHub u hap në kuadër të projektit “MladiHub – ndërtimi i aftësive për punësim, kompetenca dhe mundësi për rrjetëzimin e të rinjve” financuar nga Ambasada Britanike në Shkup dhe implementuar nga Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë në bashkëpunim me CEED Hub Shkup.
“Të rinjtë kanë mundësi të kufizuara për të mësuar dhe praktikuar aftësitë e tyre në realitet. Ata kanë nevojë për mundësi për t’u angazhuar me kompani dhe biznese në fillim të angazhimit të tyre në punë, në mënyrë që të fitojnë përvojë në botën reale. Ambasada Britanike mbështet organizatat lokale në hapjen e më shumë mundësive për të rinjtë, duke mbështetur aftësitë dhe mundësitë e tyre për të fituar përvojë praktike. “Qëllimi i kësaj mbështetjeje është të inkorporojë një sistem që u ofron të rinjve aftësitë dhe kompetencat që do t’i ndihmojnë ata të gjejnë punësim dhe të arrijnë pavarësinë e tyre ekonomike”, tha Rachel Galloway, ambasadore e Ambasadës Britanike në Shkup. Në hapjen e sotme morën pjesë të rinj nga komuna dhe rajoni, të cilët patën rastin të takohen me përfaqësues nga kompani dhe organizata të ndryshme dhe të diskutojnë mundësitë për pozicionet e hapura që ata mbajnë aktualisht. Zyra e MladiHub në Shkup funksionon për më shumë se 2 vjet dhe përdoret çdo ditë nga të rinjtë si hapësirë për organizimin e takimeve, punëtorive dhe ngjarjeve. Me hapjen e zyrës së parë rajonale në Shtip dhe Qendrës Rinore – Mlad Hub në Manastir, Këshilli Rinor Nacional i Maqedonisë synon të zgjerojë fushëveprimin e tij dhe të përfshijë sa më shumë të rinj në aktivitetet e projektit.
“Në kuadër të projektit në 3 vitet e fundit kemi ofruar mundësi të ndryshme për promovimin e pozitës së të rinjve në shoqëri, duke filluar me trajnime për forcimin e aftësive të TI-së, deri në programet e praktikës, lidhjen e të rinjve me punëdhënësit dhe rritjen e vetëbesimit të të rinjve gjatë hyrjes në tregun e punës. Por ajo që na bën veçanërisht krenarë është hapja e qendrave të tilla rinore në disa qytete të vendit, përfshirë edhe këtë qendër në Manastir. Me këtë hapësirë duam të ofrojmë burime të qëndrueshme për mbështetjen e vazhdueshme të të rinjve në çdo sferë të jetës së tyre. Rezultate të tilla janë të mundshme vetëm me përpjekjet e përbashkëta të të gjithë aktorëve, organizatave lokale rinore, komunave dhe komunitetit të donatorëve dhe besoj se të gjithë të përfshirët në procesin e krijimit të kësaj qendre do të vazhdojnë të mbështesin dhe ofrojnë më shumë aktivitete në mbështetje të të rinjve” – tha Mariana Angelova, sekretare e përgjithshme e Këshillit Rinor Nacional të Maqedonisë.