Shkup, 2 nëntor 2022 – Organizuar nga Instituti gjerman Aspen dhe Asociacioni i Evropës Juglindore, forumi i sivjetshëm “Shoqëria Civile & Think Tank” u mbajt më 1 dhe 2 nëntor në Berlin.
Në kuadër të forumit ka pasur edhe një panel kushtuar dezinformimit në Ballkanin Perëndimor. Siç theksoi njëri prej panelistëve, Zoran Trajçevski, drejtor i Agjencisë për shërbime mediatike audio dhe audiovizuele, vendet e Ballkanit Perëndimor, ashtu si pjesa tjetër e botës, nuk kanë mbetur imune ndaj shfaqjes së dezinformatave dhe lajmeve të rreme.
Duke iu referuar rritjes së dezinformatave lidhur me koronavirusin dhe ngjarjeve në Ukrainë për shkak të pushtimit ushtarak rus, ai theksoi se një rëndësi të veçantë kanë aktivitetet e organeve rregullatore të medias për t’u marrë me këto fenomene. Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele së bashku me Rrjetin e Arsimimit Mediatik po punojnë në mënyrë aktive për ngritjen e nivelit të arsimimit mediatik të qytetarëve për njohjen, ekspozimin dhe trajtimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme, veçanërisht në kuadër të Ditëve të Arsimimit Mediatik, të cilat këtë vit u zhvilluan për herë të katërt.
Në luftën kundër dezinfodemisë, janë veçanërisht të rëndësishme aspektet e tjera rregullatore – zhvillimi ekonomik dhe qëndrueshmëria e industrisë së medias, transparenca e pronësisë, si dhe përpjekjet për të ngritur standardet profesionale gazetareske.
Qëllimi i mbajtjes së forumit është prezantimi publik i rezultateve dhe rekomandimeve kyçe nga think tank dhe organizatat e shoqërisë civile dhe, në të njëjtën kohë, një diskutim publik me vendimmarrësit nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe nga BE-ja, përpara samitit për procesin e Berlinit.